GËZOHU PËR FESTËN TËNDE KOSOVË SOT E MOT
Festo! Festo Kosovë ditën e pavarsisë!
Falë të qoftë Atdhe gjaku i dëshmorëve
Por, mos i jep vend sinori më babëzisë!
Thuaju ndal më, dallkaukëve e horave!
Mos lejo të ta ndërrojnë ngjyrën e Lirisë..!
Ajo e ka të lulëkuqes, ia ka dhuruar gjaku
Për ditën gëzimplotë të mbarë shqiptarisë
Vetëm në të, kryelart, valvitet bajraku!
Që shekujve të egër, përpara na printe
Kur uji pushonte a hasmi nuk flente?!
Forcën luftëtarëve e gjakun atdheut
Ky flamur kuqezi na jepte pandalur
Shpirtin fort të lidhur për tonën shpresën
E zemrën n’flakë lirie na e mbante kallur!
Por, edhe sot Kosovë, ti festo dhe kujto!
Se retë e zeza po të rinë pas shpinës
Dhe ti qëndro njësh,më ndarje mos lejo!
Që të t’shkojë, njëri ugarit e tjetri lëndinës?!
Jepu bile zemër dhe motrave tua…
Iliridës trime dhe Çamërisë së vjetër
Është koha që zgjedhën ta hudhim n’përrua
Se, për gjallimin tone, s’na mbeti rrugë tjetër!